AMF dhe INSTAT nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi – Ja cilat pikat kyçe të tij

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Instituti i Statistikave kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi, duke përcaktuar përgjegjësitë për përpunimin e të dhënave në kuadër të prodhimit të statistikave kombëtare sipas Programit të Statistikave Zyrtare.
Memorandumi u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF, Ervin Koçi dhe Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Delina Ibrahimaj.
Po ashtu, sipas njoftimit të AMF-së, institucionet do të bashkëpunojnë edhe për hartimin e planeve strategjike në fushën e statistikave, përmirësimin e metodologjisë së statistikave, metodave dhe teknikave ekzistuese, përmes grupeve të punës dhe shkëmbimit të rregullt të dokumentave formalë dhe teknik.
Mes palëve, u dakordësua bashkëpunimi për realizmin e anketave dhe vrojtimeve statistikore të bizneseve dhe konsumatorëve/investitorëve për tregjet nën mbikëqyrjen e AMF.
“Realizimi i këtyre anketave është në funksion të objektivave ligjorë të Autoritetit për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe investitorëve dhe nxitjen e qëndrueshmërisë, transparencës e besueshmërisë së tregjeve nën mbikëqyrjen e AMF-së”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.