AMF-ja organizon 300 praktika mësimore! Si ndahen ato sipas sektorëve?
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur të përfshihet për herë të parë në procesin e organizimit dhe koordinimit të praktikave mësimore të studentëve, duke i kërkuar kompanive që janë nën mbikëqyrjen e tyre që të angazhohen për të mirëpritur zhvillimin e praktikave mësimore një numër prej të paktën 300 studentësh. Të rinjtë janë pjesë e universiteteve, publike ose private, me të cilët AMF ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Ata do të kenë mundësi të njihen me shoqëritë, tregun ku ushtrojnë veprimtarinë, si edhe alternativat potenciale që mund t’u ofrohen në tregun e punës pas përfundimit të studimeve.
Mbi 90 studentëve do të zhvillojnë praktika mësimore në sistemin bankar, për t’u njohur nga afër me funksionin e bankave të nivelit të dytë si broker, kujdestar apo shoqëri komisionere. 55 të rinj do t’i zhvillojnë praktikat mësimore pranë shoqërive të tregut të sigurimeve, rreth 130 në shoqëritë që operojnë në tregun e investimeve dhe mbi 20 studentë do të njihen nga afër me shoqëritë e fondeve të pensioneve private vullnetare.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e vlerëson si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me institucionet publike, subjektet nën mbikëqyrje dhe grupet e ndryshme të interesit për të rritur shkallën e edukimit financiar, në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe zhvillimit të sigurt të tregjeve nën mbikëqyrje.
Kjo iniciativë e AMF-së është në vazhdim të punës së bërë gjatë vitit 2018, kur Autoriteti nënshkroi 8 marrëveshje bashkëpunimi me universitete dhe kolegje universitare të ndryshme private dhe publike.
E.Z/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.