Ngadalësimi është i përkohshëm – Weidmann: Bazat e ekonomisë gjermane janë të forta
Dobësimi i rritjes ekonomike në Gjermani ka vazhduar edhe në vitin 2019, por themelet e një rimëkëmbje janë të pranishme. Deklarata është bërë nga presidenti i Bundesbank, Jens Weidmann, në prezantimin e raportit vjetor për 2018. Rritja në Gjermani, që është ekonomia më e madhe e Europës, qendroi në stanjacion në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, ndërsa janë rritur shqetësimet se, vështirësitë mund të mos jenë aq të përkohshme, sa mendohej fillimisht.
Banka Qendrore e Gjermanisë deklaroi se rritja ekonomike gjatë këtij viti, do të jenë shumë poshtë potencialit prej 1.5%, pasi rënia, e cila pritej të përfundonte në 2018, vijon të jetë ende e pranishme. “Ka shumë sugjerime se, ngadalësimi i vitit të kaluar është shtrirë edhe në këtë vit dhe për këtë arsye, rritja ekonomike e Gjermanisë do të jetë shumë poshtë potencialit në 2019”, deklaroi Weidmann në prezantimin e raportit vjetor.
Megjithatë, presidenti i Bundesbank tha se, nuk ka arsye për pesimizëm pasi themelet për një zgjerim të mëtejshëm mbeten të forta, si rrjedhojë e financimit të lirë, rritjes së punësimit dhe të pagave. Bundesbank realizoi një fitim prej 2.5 miliardë euro, gjatë vitit të kaluar dhe do të paguajë 2.4 miliardë euro në buxhetin e Gjermanisë, nga 1.9 miliardë euro vitin e kaluar. Gjithashtu, Banka Qendrore rriti provigjionet me 1.47 miliardë euro, në një total prej 17.9 miliardë euro.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.