AMF miraton vendimet/ Pezullohet shpërndarja e dividentit nga kompanitë e sigurimeve dhe përgjysmohen pagat e drejtuesve
Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar disa vendime të rëndëishme sa i përket përballimit të krizës së COVID-19.
Teksa ekonomia gjendet përballë një situate të panjohur financiare me shumicën e bizneseve të mbyllura dhe me kufizime që kanë prekur të gjithë qytetarët, AMF-ja siguron se po bën mikëqyrje të kujdesshme të tregut financiar duke marrë masa për mbrojtjen e personave të siguruar dhe investitorëve.
Vendimi i parë i bordit është përgjysmimi i pagave të drejtuesve për të kontribuar në fondin anti COVID-19.
Ky vendim do të prekë Kryetarin dhe anëtarët e Bordit të Autoritetit dhe pagave mujore të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Nëndrejtorit Ekzekutiv për një periudhë 3-mujore.
Gjithashtu është marrë vendimi për pezullimin e shpërndarjes së dividendëve nga shoqëritë e sigurimit. Kjo masë është marrë me rekomandim nga Autoriteti Evropian i Sigurimeve, sipas AMF-së dhe i bën shoqëritë e sigurimeve më të afta të përballojnë goditjet nga kriza e COVID-19.
“Kjo masë e Bordit të Autoritetit është në linjë me rekomandimet e Autoritetit Europian të Sigurimeve (EIOPA) dhe në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të mbështetjes për tregun e sigurimeve. Pezullimi i shpërndarjes së dividendëve dhe ndjekja e një politike më të kujdesshme në lidhje me shpërblimet e stafit, duke i shtyrë ato në kohë rrit aftësinë e shoqërive të sigurimit për të amortizuar pasojat e shkaktuara nga situata e COVID-19.”
Bordi i Autoritetit gjithashtu ka marrë informacion për normat e likuiditetit të shoqërive të sigurimit dhe për raportimin e statistikave të shitjeve në tregun e sigurimeve, ndikuar nga situata e pandemisë së virusit COVID-19.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.