Analiza e gjashtëmujorit – Ahmetaj: Janë krijuar rreth 37-38% e totalit të vendeve të punës

“Taksa e re e ndërtesës ka sjellë ulje të taksave në të gjithë sektorët.” Kështu është shprehur ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në analizën e gjashtëmujorit të parë të mandatit, përpara Grupit Parlamentar Socialist.
“Taksa e ndërtesës ka sjellë ulje të taksave për kategorinë e prodhimit, sektorin e bujqësisë. Kemi përjashtuar të gjithë pensionistët. Kemi përjashtuar shtëpitë e para ’93-it.”
Sipas Ahmetajt, viti 2017 është edhe viti me rritjen më të lartë ekonomike, e cila është shoqëruar me elementë të rritjes si ajo e fuqisë blerëse. Arsyeja sipas ministrit lidhet me përmirësimin e tregut të punës, duke e konsideruar pjesëmarrjen në forcat e punës me një rritje të konsiderueshme.
“Janë krijuar rreth 37-38% e totalit të vendeve të punës. Mbi 220 mijë vende pune të krijuara që nga viti 2013.”
Më tej, Ahmetaj është shprehur se ka pasur një rritje të madhe ekonomike, pavarësisht me gjithë vështirësitë e prodhimit të energjisë në vitin 2017, që sipas tij dëmtoi seriozisht ekonominë.
Ai e ka vlerësuar pozitivisht edhe importin e makinerive, që sipas tij në krye të 6-8 muajve ato hyjnë në procesin e prodhimit. Sa i takon turizmit, gjatë analizës ministri tha se ky sektor është zgjeruar në vlerën ë 1.7 mld euro, ose 11%. Ndërkohë, ai është shprehur më tej se në 2017 janë regjistruar 14 mijë biznese të reja, ndërsa gjatë periudhës janar shkurt të këtij viti numërohen rreth 2248 të tilla.
“Referuar QKB-së, në 2017 kemi neto 14 mijë biznese të reja. Janë hapur 19 mijë dhe janë mbyllur 5 mijë. Të regjistruara në 2017, biznese të huaja janë 1292 biznese të reja. Janë biznese të reja neto në janar shkurt 2248 biznese të reja.”
Lidhur me borxhin publik, Ahmetaj ka deklaruar se ai është ulur me 13.7% dhe do te vazhdojë të ulet, duke shtuar se Qeveria Rama nuk ka krijuar një borxh të ri.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.