Anglia bllokohet sërish, Italia vendos rajonet në alarm të kuq ndërsa vdekjet nga Covid-19 rriten me 43% në të gjithë Europën
Anglia ka ri-hyrë në një bllokim të ri kombëtar, pas kombeve të tjera europiane që kanë ndërmarrë hapa drastikë për t’iu kundërvënë një rritjeje në rastet e Covid-19 dhe vdekjeve në të gjithë kontinentin. Kufizimet, të cilat hynë në fuqi në mesnatën e së enjtes, do të shohin restorantet, baret dhe bizneset jo-thelbësore të mbyllura deri në 2 dhjetor.
Bllokimi i Anglisë erdhi disa ditë pasi masa të ngjashme u miratuan në Francë dhe Gjermani, dhe përpara një numri të rajoneve italiane që u bënë “zona të kuqe” të Premten.
Duke folur përpara votimit parlamentar të Mërkurën, i cili hapi rrugën për bllokimin e ri, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha se ai ishte “ballafaquar” me të dhëna që parashikojnë se Shërbimi Kombëtar i Shëndetit i Mbretërisë së Bashkuar (NHS) mund të “shembet” përballë kërkesës në rritje prej Covid-19.
Johnson tha se vdekjet në valën e dytë të pandemisë mund të tejkalojnë potencialisht ato të regjistruara në pranverë, me numrin e pacientëve me koronavirus në disa spitale “tashmë më të larta se në kulmin e valës së parë”. “Dhe kur shikoj se çfarë po ndodh tani midis disa prej miqve tanë kontinentalë, dhe shoh mjekë që kanë rezultuar pozitivë të vijojnë, mjerisht, të punojnë në pavijonet e Covid, dhe pacientët e dërguar në spitale në vende të tjera thjesht për të hapur vende të lira, unë mund të arrij vetëm në një përfundim: Unë nuk jam i përgatitur të rrezikoj me jetën e britanikëve “, tha Johnson.
Mbretëria e Bashkuar raportoi rritjen e saj të dytë më të madhe ditore në rastet të Mërkurën me 25,177 infeksione të reja të regjistruara në 24 orë. Kishte edhe 492 vdekje të tjera, sipas të dhënave të qeverisë, dhe numri i pacientëve në spital me Covid-19 u rrit në 12,320.
Kjo erdhi pasi Europa regjistroi një rritje prej 22% në rastet e reja të koronavirusit dhe një rritje 43% të vdekjeve në shtatë ditët deri të martën, krahasuar me javën e mëparshme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Franca, Italia dhe Britania e Madhe raportuan numrin më të lartë të rasteve të reja në atë kohë, megjithëse Andorra, Republika Çeke dhe Belgjika raportuan numrin më të lartë të incidencës së popullsisë.
“Franca përbënte numrin e tretë më të lartë të rasteve të reja globalisht, me mbi 275,000 raste të raportuara në javën e kaluar … që është një rritje prej 27% nga java e mëparshme,” tha OBSH.
Franca raportoi 854 vdekje të lidhura me Covid-19 në 24 orë të Martën – një mesatare prej një personi që vdes çdo 1 minutë 41 sekonda – dhe numri më i lartë ditor i kombit që nga 15 Prilli, sipas të dhënave të lëshuara nga Autoriteti Shëndetësor Francez.
Zvicra dhe Lihtenshtejni regjistruan 10,073 raste të reja ditore Covid-19, 247 shtrime në spital dhe 73 vdekje të reja të Mërkurën.
Qeveria italiane, e cila ka paralajmëruar se mund të mbarojë shtretërit e kujdesit intensiv deri në fund të nëntorit, ka miratuar masa duke përfshirë një shtetrrethim nga ora 10 e darkës deri në orën 5 të mëngjesit, dhe një sistem të ri të “semaforit” të kufizimeve rajonale.
Transporti publik do të udhëtojë me kapacitet 50%; muzetë do të mbyllen; të gjithë studentët e moshës gjashtë vjeç e lart duhet të mbajnë maska; dhe restorantet dhe baret duhet të mbyllen në orën 6 pasdite.
Rajonet e Kalabrisë, Lombardisë, Piemonte dhe Valle d’Aosta do të bëhen “zona të kuqe” nga e Premtja, njoftoi të Mërkurën Kryeministri italian Giuseppe Conte. Rajoni i Pulias dhe ishulli i Siçilisë do të bëhen “zona portokalli”.
Austria ka raportuar 125,792 raste koronavirusi në total dhe 1,277 vdekje, sipas ministrisë së shëndetësisë.
Kryeministri grek pritet të njoftojë kufizime të mëtejshme të enjten pasi vendi regjistroi një rekord 2,646 raste të përditshme Covid-19, sipas Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik të vendit, duke çuar gjithsej në 46,892 raste; kishte edhe 18 vdekje të tjera, duke e çuar gjithsej në 673. (CNN)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.