Ankohen prodhuesit e energjisë – Vonesa e pagesave nga OSHEE, tregtarët, ERE-s: Rishikoni vendimin
Shtrirja e afatit nga 90 në 180 ditë për shlyerjen e pagesave të blerjes së energjisë nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duket se nuk është mirëpritur nga tregtarët, të cilët i kanë kërkuar Entit Rregullator të Energjisë të rishikojë vendimin e marrë në muajin mars.
Është operatori ekonomik GEN-i Tirana që ka paraqitur kërkesën pranë ERE-s, ndërkohë që kjo e fundit ka planifikuar ta shqyrtojë në mbledhjen e radhës. Për shkak të thatësirës aktuale, Korporata Elektro-energjetike Shqiptare ka ulur prodhimin e energjisë, ndërkohë që OSHEE ka rritur ndjeshëm sigurimin e energjisë në treg të lirë, çka i ka krijuar probleme likuiditeti për shlyerjen në kohë të faturave.
Për këtë arsye u kërkua dhe shtrirja e afatit për shlyerjen e tyre në 180, kërkesë që ndonëse u rrëzua një herë nga ERE, u pranua në datën 19 mars. Vendimi i dytë erdhi pas një ndërhyrjeje të vetë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që rekomandoi marrjen parasysh të kërkesës së OSHEE-së, duke u bazuar në faktin se kompania po përballet me një situatë mjaft delikate nga pikëpamja financiare.
Por, përveç tregtarëve ky vendim i ERE-s u kundërshtua edhe nga drejtori ekzekutiv i Komunitet të Energjisë, Janez Kopac, i cili pak ditë më parë deklaroi në Kuvend se një vonesë kaq e gjatë me shlyerjen e faturave vë në pikëpyetje mbijetesën e prodhuesve, ndërkohë që rrit edhe kostot për konsumatorët.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.