Aplikimet e maturantëve – 88.88% përzgjodhën degët në universitetet publike, 11.12% në privat
Maturantët edhe këtë vit akademik kanë preferuar të vazhdojnë studimet e larta në institucionet shtetërore.
Sipas të dhënave të formularit A2 të siguruara për televizionin SCAN nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit në përfundim të procesit të plotësimit të preferencave për në universitet, rezulton se për vitin akademik 2018-2019 kanë aplikuar gjithsej 24 mijë e 287 kandidatë, nga të cilët 88.88% e totalit të tyre kanë bërë përzgjedhjen e degëve preferenciale në universitetet publike, ndërkohë që në universitete private kanë bërë përzgjedhjen e tyre 11.12% e maturantëve.
Procesi i aplikimeve u zhvillua nga data 30 korrik deri në 4 gusht. Lidhur me pranimet në institucionet e arsimit të lartë janë bërë tashmë publike edhe datat e konkurseve.
Sipas udhëzimit të ministrisë së Arsimit, brenda datës 10 gusht 2018 institucionet e arsimit të lartë që do të zhvillojnë konkurse pranimi, do të shkarkojnë nga portali U-Albania listën e aplikantëve, ndërsa në 11 deri në 27 gusht do të zhvillohen konkurset e pranimit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.