“Argument” – Ministrja Denaj: “2021 viti i Rindërtimit. Fushatë 7 mujore për fiskalizimin. Recesioni brenda parashikimeve”
Të ftuar në “Argument” me gazetarin Enio Civici është mbrëmjen e sotme ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.
Me publikimin e të dhënave të GDP-së nga INSTAT tregohej qartë se në tremujorin e tretë të 2020 rënia ekonomike ishte në nivelin 3,47% nga 10,2% që ishte në tremujorin paraardhës, duke treguar trajektoren drejt një rikuperimi.
Ministraj Denaj rreth këtij raporti u shpreh se ishte i parashikuar edhe nga Ministria, ndërkohë që edhe nga bilanci i muajve të tjerë recesioni pritet brenda parashikimeve sipas saj:
“Parashikimet presin kohën e tyre për tu materializuar dhe sot ishte një ditë analize dhe për Ministrinë e Financave. E prisnim një tremujor të tretë më të mirë se të tjerët. Rënia 10.2% në tremujorin e dytë erdhi për shkak të ekonomisë së mbyllur, por më pas aktivitetet u hapën dhe pati zhvillim më tepër.
Materializimi i 3,47% ishte relativisht i pritshëm dhe për periudhën janar-shtator një mesatare -5,32% an jep një konfidencë se recesioni i parashikuar deri në fund të viti mund të jetë brenda parashikimeve.
Më tej në raportin e INSTAT tregohej se Ndërtimi dhe Bujqësia ishin dy sektorët që kishin dhënë kontributin më të madh në ekonominë shqiptare. Sipas znj. Denaj në këto dy sektorë do vijohet të investohet më tej dhe janë prioritet i qeverisë:
“Bujqësia është motori në këto dy vite dhe parashikohet të japi një kontribut edhe më të shtuar në 2021 së bashku me ndërtimin. Të dy këto sektorë vijojnë të kontribuojnë pozitivisht. Janë sinjale të mira edhe nga situata që vendi po kalon ku kemi programin e Rindërtimit, që vitin tjetër do vijojë edhe më fuqishëm dhe do jetë një vlerë e konsiderueshme monetare që shkon nga Buxheti për bizneset dhe punonjësit.
Bujqësia, qeveria shqiptare ka miratuar një politikë të rëndësishme si çmimi i karburanteve për fermerët, por dhe mënyra si është dizenjuar shkon për të kompensuar vlerën e akzicës dhe të qarkullimit. Duam që të nxitet puna në këtë sektor dhe nëse flasim për kompensim të plotë, do donim që në afatmesëm të kishim dyfish të vlerës për të formalizuar fermerët.”
Më tej ministrja ka shpjeguar edhe prioritetet kryesore nga Buxheti i Shtetit dhe pritshmëritë që qytetarët shqiptarë duhet të kenë për vitin 2021, i cili sipas duhet të etiketohet kryesisht si Viti i Rindërtimit:
“Viti që vjen është një vit që mbetet për tu parë në dy elemente kyç. Kemi pandeminë për të përballuar me vështirësitë dhe shëndetësia ka fokus, i përcaktuar qartë edhe në Buxhet.
Më tej flasim për investime që kanë nevojë për të përmirësuar infrastrukturën, kryesisht atë shëndetësore dhe rrugore sepse edhe në një vit si ky nuk ndërpremë investime publike dhe i rritëm në një nga nivelet më të larta në 7.2%.
Një tjetër pikë e rëndësishme është nxitja fiskale për bizneset e vogla që do të jenë elemente bazë për dy-tre vitet e ardhshme dhe do të nxisin punësimin.
2021 do të padyshim jetë viti i Rindërtimit. Nuk duam ta humbim fokusin nga një projekt madhor që do sjellë akomodim të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Të gjitha proceset vijojnë në raport me afatet dhe vitin tjetër do i kemi të materilizuara. Dhe fondi për vitin që vjen është 28 mld lekë. Fondi është i trashëguar deri në 2022, ku 65 mld lekë shkojnë nga Buxheti shtetit për projekte konkrete.”
Më tej ministrja ka shpjeguar edhe datat konkrete të procesit të fiskalizimit që pritet të ndodhë vitin e ardhshëm.
“Fiskalizimi nis në 1 janar dhe është afat i shtyrë nga ku do të nisim një marrëdhënie të re biznes-qeveri. Marrëdhënia e dytë është biznes me biznes, që fillon nga llogaritë bankare, dhe marrëdhënia biznes-konsumator që fillon më 1 shtator. Ne do fillojmë një fushatë 7 mujore për informimin e qytetarëve. ”
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.