“Arkitektura” e re e qeverisë, shtypi raporton për shkrirje e bashkime ministrish!
Në shtator, qeveria mund të ketë një strukturë tjetër nga kjo që ka aktualisht aktualisht. Kjo raportohet sot nga gazeta “Mapo” që shkruan se sa i përket “arkitekturës pritet të bëhen shkrirje apo bashkime dikasteresh të ndryshme”.
“Ndryshimet do të prekin Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Energjetikës. Mësohet se këto tre dikastere mund të rigrupohen në 2 ministri, ku mund të kemi ose një bashkim të ministrisë së Ekonomisë me atë të Financave ose një bashkim të Ministrisë së Ekonomisë me atë të Energjetikës. Sektorë të tjerë që mund të preken janë ai i Bujqësisë dhe i Mjedisit. Burimet bëjnë të ditur se mund të ketë një bashkim edhe të këtyre dy ministrive pavarësisht se fushat që ato mbulojnë nuk kanë shumë afërsi. Ndërkohë një tjetër ndryshim mund të jetë edhe ai i bashkimit të Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban” shkruhet në artikull. Po ashtu, artikulli evidenton se krahas këtyre zhvillimeve të pritshme në strukturën e qeverisë, pritet të ketë një proces riorganizimi edhe të drejtorive e institucioneve të ndryshme me qëllim rritjen e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve.
Pak ditë më parë edhe kryeministri Edi Rama ka pranuar në një intervistë televizive planin për të bashkuar Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me Agjencinë e Legalizimeve e me Agjencinë e Trajtimit të Pronës, me qëllim rritjen e eficencës në ofrimin e shërbimeve për çështjet e pronësisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.