Arsimi profesional – Bregasi: Ishte më mirë, duhet angazhim më i madh nga MEF
Arsimi profesional ka pësuar një frenim në krahasim me 4-vjeçarin e kaluar, duke qenë se ky sektor i është bashkuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Konstatimi vjen nga kreu i Biznes Albania, Luan Bregasi, i cili shton se duhet më tepër angazhim nga ana e këtij dikasteri, në mënyrë që tregu i punës të orientohet sipas nevojave të biznesit.
“Tashmë nuk ka një ministri të dedikuar për ministrinë e Punës, pavarësisht se janë bërë disa përpjekje nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, që mbulon edhe Ministrinë e Punës, por për mendimin tim, ajo kohë ka qenë më e mirë se sa kjo që jemi tani. Kërkohet një angazhim më i madh i linjave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financës për një përkushtim dhe një interesim të dedikuar për shkollat e arsimit profesional. Jemi në kontakt tashmë me ministrinë dhe zotin Ahmetaj. Ky vit do të ketë një platformë më të studiuar, që pavarësisht mungesës së kësaj gjëje, unë besoj se do t’i kemi të gjitha mundësitë për t’i orientuar shkollat profesionale drejt tregut, drejt nevojave që ka biznesi”, tha Bregasi.
Sipas Bregasit është e domosdoshme edhe rishikimi i kurrikulave si dhe drejtimet profesionale, që ofrohen në këto shkolla.
“Ajo çka tani ndihet si një kontradiktë është se në rast se kurrikulat e shkollës trashëgojnë strukturat e vjetra të shkollave të arsimit profesional dhe nuk ka përputhje me kërkesat që ka tregu i biznesit, do të thotë që ne punojmë kot. Ne mund të nxjerrim me mijëra parukierë, psh., por ne kemi nevojë për teknikë lavatriçesh, për teknikë televizorësh, ashensorësh, teknologë të industrisë ushqimore, pra për disa profesione, disa zanate të cilat shkollat profesionale nuk i kanë trashëguar nga e kaluara”, shtoi Bregasi.
Më herët sektori i arsimit profesional ishte në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, por me ndarjen e qeverisë së re, ai iu bashkëngjit Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.
Ola Mitre/SCAN
1/5 e nxënësve u regjistruan në Arsimin profesional – Në Durrës, interesi më i lartë
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.