Avancon aeroporti i Vlorës – Kontrata e PPP-së miratohet në qeveri, pavarësisht kundërshtimeve nga mjedisorët

Këshilli i Ministrave ka miratuar kontratën e partneritetit publik privat për aeroportin e Vlorës, duke avancuar në procedurat për zbatimin e këtij projekti. Kontrata është lidhur me bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues (Mabco Constructions Sa, Yda Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi, 2A Group), sh.p.k, ndërkohë që objekt i kontratës është projektimi, ndërtimi, operimi, mirëmbajtja e më pas transferimi i kësaj vepre aeroportuale tek insitutcionet shtetërore.
Sipas legjislacionit në fuqi, kontrata koncesionare do të duhet të miratohet edhe në parlament, përpara se ajo të hyjë në fuqi. Ndërkohë që, sikurse është bërë e ditur kohëzgjatja e koncesionit do të jetë për një periudhë 35-vjeçare, teksa oferta e dorëzuar nga konsorciumi fitues, që dominohet nga komapnia Mabetex Group e biznesmenit nga Kosova Behgjet Pacolli është 104 mln euro. Ndërkaq, më herët 36 organizata kombëtare dhe ndërkombëtare i kanë kërkuar qeverisë të anulojë projektin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën e Vjosë-Nartës, duke vënë në dukje se vendi në të cilën planifikohet të ndërtohet kjo vepër aeroportuale bie brenda zonës së mbrojtur.
Koalicioni i organizatave mjedisore theksoi se ndërtimi i një infrastrukture të tillë brenda zonës së mbrojtur shkel në tërësi kuadrin ligjor për ruajtjen e natyrës dhe në veçanti ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe një sërë konventash të cilat Shqipëria i ka ratifikuar. Sipas tyre, kjo është vënë në dukje edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë e për pasojë, ndër të tjera krijon pengesa edhe në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Po ashtu, organizatat theksonin se në këtë zonë hasen shpesh shpendë të mëdhenj, ndërkohë që astet e rrëzimit të aeroplanëve si dhe avaritë e shumta të tyre të shkaktuara nga përplasja me shpendët e egër janë të mirë dokumentuara.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.