Azilkërkuesit në BE – Eurostat: Sirianët të parët. Azil kanë kërkuar edhe 5,900 shqiptarë

Gjatë tremujorit të tretë 2017, 164,300 azilkërkues të rinj kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në vendet anëtare të Bashkimit Europian. Kjo tregon se numri i aplikantëve për azil të regjistruar në 9 muajt e 2017-ës qëndron në nivelet e regjistruara në vitin 2014, përpara kulmit të arritur një vit më vonë.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, me 26,600 aplikantë për herë të parë në periudhën Korrik-Shtator 2017, shtetasit sirianë janë në vend të parë për azilkërkuesit në BE, ndjekur nga irakenët me 12,500. Pas tyre vijojnë afganët dhe nigerianët, në rreth 9,900, pakistanezët me 7,350, shtetasit nga Eritrea me 7,300 dhe shqiptarët me 5,900.
Këto 7 grupe përbënin së bashku rreth 50% të të gjithë aplikantëve për herë të parë në vendet e BE në tremujorin e tretë të këtij viti.
Gjatë kësaj periudhe, numri më i madh i aplikantëve të rinj për azil u regjistrua në Gjermani, me 46,200 apo 28% të totalit në BE. Italia ndjek me 32,500, Franca me 22,000 ndërsa Greqia me 14,600.
Krahasuar kjo me totalin e popullsisë të secilit vend anëtar, norma më e madhe e regjistruar për aplikantët e rinj u regjistrua në Qipro, me 1577 në 1 milionë banorë, ndjekur nga Greqia dhe Malta, me 1,361 dhe 960 në mënyrë respektive.
Në kontrast, norma më e ulët u regjistrua në Sllovaki, me 4 aplikantë të rinj për 1 milionë banorë, ndjekur nga Polonia me 22, Portugalia me 23 dhe Republika Çeke me 27 aplikantë në 1 milionë banorë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.