Bankat/ Pse tregu po fokusohet tek titujt financiarë dhe po i largohet aksioneve?
Sektori bankar është padyshim një nga sektorët që vitet e fundit ka luftuar më shumë për të realizuar fitime. Transformimi digjital i ka vendosur të ardhurat nën presion; politika negative e kursit të BQE-së i ka ngjeshur shumë fort marzhet e fitimit. Veç kësaj, rregulli i futur pas krizës (së pari me marrëveshjet e Bazelit dhe më pas me direktivën e Komunitetit Brrd (Bank Resolution and Recovery) që prezantoi programin e bail-in (programin e falimentit)) i ka detyruar institucionet të lënë mënjanë gjithnjë e më shumë burime për të mbuluar pasuritë në rrezik dhe shpesh, siç ka ndodhur në veçanti në Itali, për të realizuar një rritje të përsëritur të kapitalit.
Nëse për aksionarët e gjithë kjo rezultoi në një zhvlerësim të konsiderueshëm të vlerës së aksioneve dhe në një politikë gjithnjë e më pak bujare të dividendit, për kreditorët gjërat shkuan ndryshe. “Forcimi i pasurisë së institucioneve i penalizon ato në drejtim të përfitimit dhe kjo përfundon duke reflektuar negativisht në çmimin e aksioneve. Por nga këndvështrimi i një kreditori, soliditeti më i madh i institucioneve paraqet një garanci shtesë për aftësinë paguese të tyre” shpjegon Antonio Ruggeri, menaxher i SYZ Asset Management.
Për këtë arsye, përballë dobësisë së aksioneve, obligacionet bankare, veçanërisht ato me një shkallë më të lartë rreziku, treguan një ecuri shumë më të mirë. Obligacionet vartëse të bankave europiane që hyjnë në kategorinë e të ashtuquajturave kontigjente të konvertueshme (contingent convertible ose titujt ‘CoCo’) nga viti 2014 e deri më tani kanë arritur një kthim të investimit prej 73.7%. Numra që krahasohen me një ecuri të ulët të indeksit të aksioneve i cili, edhe duke marrë parasysh dividentët, ka humbur mbi 16% për të njëjtën periudhë.
Titujt e konvertueshëm financiarë janë në një farë mënyre kryqëzimi midis kapitalit dhe borxhit. Megjithëse janë më të mbrojtur se aksionarët, mbajtësit e këtyre titujve gëzojnë më pak garanci sesa ata që mbajnë tituj ‘senior’. Në krahasim me titujt me rrezik të lartë, siç janë yield-et e korporatave me rendiment të lartë ose ‘high-yield’, këto tituj financiar të njohur si CoCo kanë dy avantazhe shtesë:
1) ato kanë një likuiditet jashtëzakonisht më të lartë sepse ndodhen shumë më tepër në qarkullim;
2) janë potencialisht imun ndaj asaj që sot paraqet rrezikun numër një për investitorët: lufta tregtare. (Ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.