Bashkitë humbën 16.5 milionë euro nga TAP – Ligji nisi të zbatohej në vitin 2021, u shpërndanë 2.1 milionë euro

Edhe pse ligjërisht, që nga viti 2017, 61 bashkitë në vend kanë pasur të drejtë të përftojnë 2% të të ardhurës totale të mbledhur nga tatimi mbi të ardhurat personale (TAP), kjo nuk ka ndodhur. Referuar raporti “Taksat e ndara – Tatimi mbi të ardhurat personale” të publikuar së fundmi nga Co-PLAN, me një llogari të thjeshtë, bashkitë në tre vitet e fundit vlerësohet se do të duhet të kishin marrë mbi 2 miliardë lekë të ardhura nga TAP apo 16.5 milionë euro, të cilat në fakt nuk i kanë përfituar.
Referuar raportit, gjysma e parë e vitit 2021 shënoi një pikë kthese në këtë drejtim. Të dhënat për gjashtë muajt e parë të vitit që lam pas tregojnë se bashkitë përftuan rreth 258.1 milionë lekë apo 2.1 milionë euro nga tatimi mbi të ardhurat personale (TAP). Alokimet për secilën bashki janë bërë në bazë të numri i popullsisë së përdorur për shpërndarjen e transfertës së pakushtëzuar për vitin 2021”. Në bazë të këtij kriteri, të ardhurat për frymë nga TAP nuk paraqesin diferenca të theksuara ndërmjet bashkive, duke qendruar pranë mesatares kombëtare.
Raporti evidenton se në terma sasiorë rreth 19.4% e të ardhurës nga TAP u përthith nga bashkia Tiranë (afo 50 milionë lekë) ndjekur nga bashkitë Durrës (6.7% apo rreth 17.2 milionë lekë), Elbasan (4.9% apo rreth 12.7 milionë lekë), Shkodër (4.8% apo rreth 12.3 milionë lekë), Fier (4.4% apo rreth 11.4 milionë lekë) dhe Vlorë (4% apo rreth 10.4 milionë lekë). Së bashku 6 bashkitë e përmendura morën rreth 44% të të ardhurës të shpërndarë për bashkitë nga TAP.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.