BB propozon një bursë rajonale – “Duhet zhbllokuar potenciali afat-gjatë i investimeve në Ballkan”
Në raportin e fundit për rajonin, Banka Botërore i mëshon propozimit të një burse të përbashkët rajonale, duke nënvizuar se kjo do të ishte një domosdoshmëri për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Propozimi për një union të tregjeve të kapitalit në Ballkanin Perëndimor nënvizon nevojën për të ndërmarrë më shumë veprime për të lidhur në mënyrë efikase investitorët dhe depozituesit me kompanitë për të zhbllokuar kështu potencialin e tregjeve të kapitalit në terma afat-gjatë”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Ky propozim vjen në një kohë që në Shqipëri është licencuar bursa e parë private që pritet të fillojë shumë shpejt punën. Në këtë mënyrë, Shqipëria bëhet vendi i pestë në rajon me një bursë, ndërkohë që Kosova mbetet shteti i vetëm pa një treg kapitali në rajon.
Vetëm disa ditë më parë, në raportin e tranzicionit, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, fliste me tone pozitive për krijimin e bursës së parë private shqiptare, duke nënvizuar se kjo bursë ka një potencial të madh për t`u integruar në rrjetin rajonal në të ardhmen.
Vlera e tregtisë në bursat e rajonit për momentin është mjaft e vogël, në vetëm 20% të PBB, ndërkohë që në vendet e Europës perëndimore kjo normë fiksohet në 60%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.