BE, dakordësi për “pasaportën” e Covid / Do të ofrojë info mbi vaksinimin, testimin, apo shërimin nga sëmundja
Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje për të prezantuar një certifikatë të udhëtimeve të Covid, përpara pushimeve të Verës, që do lehtësojë lëvizjet për punë dhe turizëm në bllok, duke ofruar informacion mbi vaksinimin, testet dhe shërimin nga sëmundja. Banorët në BE do të mund të marrin këtë pasaportë nëse kanë të paktën 1 nga 3 elementët e mësipërm. Parlamenti Evropian konfirmoi këtë Javë se është arritur një dakordësi mbi pasaportën e udhëtimeve të covid me 27 vendet anëtare. Ata me një dozë të vaksinës do të mund të aplikojnë për pasaportën dhe vetëm vaksinat e miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave do të pranohen. Deri më tani, vaksinat e miratuara janë ajo e Pfizer me BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Banorët e BE jashtë territorit të bllokut do të lejohen gjithashtu të marrin certifikatën nëse kanë marrë një nga katër vaksinat. Emri zyrtar i pasaportës së udhëtimeve të Covid do të jetë “Certifikata Dixhitale Covid e BE”, nga “Certifikata e Gjelbër Dixhitale” që quhej më parë.
Versionet do jenë fizik dhe dixhital dhe do funksionojnë përmes një kodi QR. Parlamenti pritet ta vulosë marrëveshjen në seancën e ardhshme plenare, me një debat të planifikuar për datën 9 Qershor. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri portugez, Antonio Costa, që mban presidencën e Këshillit, kanë përgëzuar marrëveshjen provizore në Twitter.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.