BE i tregon limitet Britanisë – “Nuk do të ketë tregti pa tarifa nëse nuk i bindet kushteve”
Bashkimi Europian theksoi në nisje të Javës se Britania nuk mund të presë një marrëveshje tregtare me zero tarifa, nëse Londra nuk bie dakord me kushtet për një konkurrencë të drejtë me tregun e përbashkët. Negociatori europian për Brexit, Michel Barnier, tha se duhet të ketë një konkurrencë afat-gjatë mbi standardet sociale, shtetërore dhe mjedisore. Ai tha se të gjitha palët duhet të përgatiten për mundësinë e një daljeje pa marrëveshje në fund të vitit.
Barnier foli përpara se kryeministri Boris Johnson të prezantonte kushtet e negociatave me Bashkimin Europian. Ai tha se Britania do të lulëzojë edhe nëse nuk arrihet marrëveshja e preferuar tregtare. Pasi priti daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian në Downing Street ditën e Premte, Johnson dha një mesazh për Brexit, ku theksoi se për të, sovraniteti është më i rëndësishëm se ekonomia.
Të dy palët kanë kohë deri në fund të vitit, ku përfundon marrëveshja e tranzicionit, për të siguruar një marrëveshje tregtare dhe marrëdhënien e ardhshme. Bisedimet për tregtinë do të nisin në muajin Mars. Pasi kritikoi paraardhësen e tij Theresa May në arritjen e marrëveshjes së divorcit, Johnson ka ashpërsuar qasjen e tij, duke thënë se Britania nuk do t’i përmbahet rregullave të Bashkimit Europian.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.