BE merr vendimin – Dokumenti, buxhet dhe ministër Financash të përbashkët

Komisioni Europian ka vendosur të bëjë hapin e fundit drejt një Europe më të bashkuar. Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian, nëpërmjet një dokumenti të menduar gjatë, kërkon një buxhet të përbashkët për Eurozonën, si dhe një ministri të përbashkët të financave.
Ideja që qarkullon prej kohësh ka marrë aprovimin dhe shtysën finale nga Emmanuel Macron, njeriu që mposhti populizmin në Europë me tezën e tij pro europiane.
Berlini, që deri pak kohë më parë mendohej si pengesa kryesore e këtij projekti, pas Shtatorit nuk do të jetë më në fushatë elektorale, dhe gjasat tregojnë se Angela Merkel synon një Europë më të bashkuar.
Dokumenti i Komisionit Europian parashikon një sërë reformash të tjera, që kanë për qëllim të shmangin në të ardhmen kriza të ngjashme të borxhit si ato të viteve 2010-2012.
Komisioni Europian kërkon më shumë vendosmëri nga vendet anëtare për ta bërë më funksional unionin ekonomik dhe monetar.
Pavarësisht se, dokumenti në fjalë jep disa zgjidhje, duke ia lënë vendeve anëtare vendimin përfundimtar, në fakt sugjeron se, zgjidhja më e mirë është ajo se blloku duhet të ndërtojë një thesar të Eurozonës. Në krye të këtij institucioni mund të vendoset edhe kreu i Eurogrupit.
Mënyra sesi buxheti i përbashkët i Eurozonës do të financohet parashtron disa opsione. Në këtë buxhet do të kishin akses edhe vendet e Bashkimit Europian që nuk ndajnë monedhën e përbashkët. Kjo fazë pritet të avancojë gjatë periudhës 2019-2025.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.