Berati në qendër të investimeve për turizmin në Shqipëri – Ministri Klosi prezanton detajet
Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të vendosur kësaj radhe në qytetin e Beratit, Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi ka prezantuar disa prej projekteve në sektorët që ai mbulon për zhvillimin e qarkut.
Klosi vlerësoi faktin se Berati është i pranishëm në çdo artikull që flet për Shqipërinë turistike dhe tha se tashmë është gati projekti për t’i dhënë një shtysë të rëndësishme turizmit.
“Projekti përfshin zhvillimin e parkut të Tomorit si një destinacion i rëndësishëm. Do të ketë investime në infrastrukturën rrugore, infrastrukturën turistike, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Në këtë mënyrë do të ketë më tepër të ardhura për qytetarët, më shumë punësim, më shumë jetë, më shumë shpresë për qarkun e Beratit.
Berati është përzgjedhur së bashku me Përmeti, Sarandën e Gjirokastrën si shtyllat e zhvillimit të turizmit në vend. Qeveria, në bashkëpunim me Bankën Botërore do të mundësojë 63.8 milionë euro për investimet në shërbimet në sektorin e turizmit, përmirësimin e rrugëve, parqeve, trotuareve, ndriçimin e rrugëve dhe monumenteve, rrjetin e ujit të pijshëm”, tha Klosi.
Nga ky fond, pjesa më e madhe, rreth 20 milionë dollarë do të investohen specifikisht në Berat dhe do të shkojnë për rehabilitimin e dy rrugëve që çojnë në Kalanë e Beratit, rigjenerimin dhe gjelërimin e Lumit të Osumit dhe projektet e zonave historike të Goricës dhe Mangalemit.
Ministri u shpreh se në ndihmë të ekonomisë së Beratit do të jenë edhe projektet për zhvillimin e bujqësisë dhe agroturizmit, i cili do të rrisë vlerën prodhuese vendase apo prodhimet tradicionale.
Klosi tha se projekti i agroturizmit parashikon edhe ngritjen e punishteve të prodhimeve tradicionale të zonës. Për të mbështetur më tej këtë artizanatin, nuk do të lejohet shitja e prodhimeve të tjera në zonat e përcaktuara.
Përpara se t’i kalonte fjalën ministrave të tjerë, Klosi u shpreh se aksioni për pastrimin e vendit ka filluar të japë rezultatet e para edhe në Berat. Sipas ministrit, Mali i Tomorit për pak javë ka gjetur qetësinë, për shkak se mbi 20 gurore janë pezulluar deri në plotësim të kritereve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.