Bie inflacioni – Zbret në 1.6%, niveli më i ulët për 2017

Inflacioni thelloi rënien gjatë muajit gusht, duke zbritur në 1.6%, niveli më i ulët i regjistruar për vitin 2017. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, inflacioni zbriti për të dytin muaj radhazi dhe për herë të parë këtë vit është poshtë intervalit të objektivit të Bankës Qendrore.
Rënia e inflacionit në muajt e verës vendos në pikëpyetje afatet e pritshme të kthimit të inflacionit në objektiv. Banka e Shqipërisë priste që për këtë vit inflacioni të rritej në nivelin 2.3%, ndërsa vitin e ardhshëm të afrohej te objektivi prej 3% i politikës monetare. Por, me rënien e muajit gusht inflacioni mesatar vjetor ka zbritur në 2.1%.

Siç raportoi TV SCAN këtë javë, rënia e inflacionit ishte paralajmëruar nga rritja e dobët e çmimeve të prodhimit dhe atyre të importit gjatë tremujorit të dytë. Një rritje e ulët në çmimet e prodhimit zakonisht përcillet edhe në çmimet e konsumit, duke ndikuar në vlera rënëse të inflacionit.
Përcaktuese në rënien e inflacionit gjatë gushtit ishte grupi me peshën kryesore, ushqime dhe pije joalkoolike. Inflacioni për këtë grup zbriti në 3.3%, nga 4.7% që kishte qenë për korrikun. Kjo shpjegohet kryesisht me rënien e çmimeve të produkteve të përpunuara të industrisë ushqimore.
Sidoqoftë, shmangiet e inflacionit nga pritshmëritë këtë vit i detyrohen kryesisht komponentëve të luhatshëm dhe faktorëve që lidhen me ofertën. Në tremujorin e parë, rritja erdhi sidomos për shkak të faktorëve klimatikë, ndërsa ulja e dy muajve të fundit lidhet me uljen e çmimeve të lëndëve të para.
Ndoshta në një masë më të vogël, dobësimi i inflacionit shpjegohet edhe me forcimin e lekut në kursin e këmbimit ndaj euros dhe dollarit amerikan. Leku më i fortë i bën më të lira importet dhe ul presionet inflacioniste në ekonomi.
Por, përtej këtyre faktorëve, gjendja ciklike e ekonomisë nuk duket të ketë lëkundje thelbësore. Përmirësimi i kërkesës së brendshme dhe rritjes së prodhimit kombëtar pritet të vazhdojë më tej edhe këtë vit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.