“Irma” tremb bursat – Investitorët vazhdojnë të shesin, euro “mbyt” dollarin

Uragani Irma i ka trembur edhe më shumë bursat. Frika që nisi që prej krizës së Koresë së Veriut tashmë ka marrë përmasa edhe më të mëdha. Investitorët i tremben dëmeve që do të shkaktojë stuhia, ndërkohë që po i shesin masivisht asetet e tyre.
Si gjithmonë, ari fiton, pasi të gjithë e blejnë si një mall strehimi, që performon mjaft mirë kur mbretëron pasiguria. Edhe monedha japoneze po marshon së bashku me arin, ndërkohë që titujt e thesarit amerikan kanë prekur fundin. Monedha e përbashkët europiane ndërkohë nuk po di më që të ndalë vrullin.
Mario Draghi ditën e Enjte, pavarësisht se shprehu haptazi shqetësimin për kursin e këmbimit, nuk bëri gjë tjetër veçse nxiti një rritje të ndjeshme të monedhës, përtej nivelit të 1.21 dollarëve.
Indekset kryesore europiane ndërkohë nuk kanë shfaqur shenja të qarta pesimizmi. Sa i përket atyre aziatike, pjesa më e madhe janë regjistruar në rënie. Irma ndërkohë, stuhia që ka shkatërruar një pjesë të madhe të ishujve të Karaibeve, pritet që të shkaktojë dëme katastrofike edhe në Florida.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.