Bie me ¼ prodhimi i energjisë elektrike – “Thatësira” detyron rritjen e importeve me 40%
Prodhimi i energjisë elektrike në vend ka shënuar një rënie drastike me mbi ¼ në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Në periudhën Janar-Qershor hidrocentralet publike dhe ato private e koncesionare kanë prodhuar vetëm 3011 GWh energji nga 4065 GWh në vitin 2016.
Rënia e prurjeve nëpër hidrocentrale ka prekur si ato publike, ashtu edhe ato private, të cilat kanë patur ulje të prodhimit me përkatësisht 26.9% dhe 23.8%.
Ndërkohë impiantet e tjera të energjisë nga burime të rinovueshme, si ato fotovoltaike me energjinë e diellit, ende nuk kanë nisur të prodhojnë rrymë.
Kjo situatë ka detyruar shtetin të importojë 1079 GWh energji elektrike për të përmbushur kërkesat e konsumit, ose rreth 40% më shumë se një vit më parë.
Prodhimi i ulët ka ndikuar edhe në rënien drastike të energjisë së eksportuar nga 1289 GWh në 360 GWh, çka ka përmbysur raportin pozitiv eksport-import të vitit 2016.
Për këto gjashtë muaj, prodhimi vendas mundi të plotësonte vetëm 80% të kërkesave në rritje të konsumit.
Përdorimi nga konsumatorët vijoi rritjen edhe në këtë periudhë, duke arritur në 2710 GWh. Bizneset dhe institucionet tejkaluan përdorimin e konsumatorëve familjarë, një indikator pozitiv për ekonominë.
Ndërsa pjesa tjetër e konsumit, prej 1020 GWh u regjistrua si humbje në rrjet.
Edhe pse këto humbje regjistruan një ulje të lehtë në krahasim me gjashtëmujorin e parë të 2016-ës, përmirësimi i detyrohet vetëm uljes në humbje dhe konsum vetjak në transmetim. Humbjet në shpërndarje regjistruan një rritje prej rreth 0.8%.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.