“Bilanci” 3-mujor i ujit – Vetërregullimi , u lidhën 11 mijë kontrata e 11200 aktmarrëveshje
Rreth 11 mijë kontrata të reja u lidhën gjatë fazës së parë të aksionit për ujin e pijshëm, i konsideruar si periudhë vetërregullimi për abonentët. Po, ashtu sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të bëra me dije për TV SCAN, nga data 6 nëntor deri në datën 1 shkurt u vendosën 34 mijë ujëmatës, si dhe u kryen 4500 vetëdeklarime për lidhje të paligjshme me rrjetin e ujësjellësit.
Paralelisht abonentët familjarë dhe bizneset kanë përfituar edhe nga mundësia e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura me këste, duke lidhur aktmarrëveshje me shoqëritë e ujësjellës-kanalizime. Sipas të dhënave zyrtare gjatë 3-mujorit u lidhën në total 11200 aktmarrëveshje. Ndërkaq, abonentët familjarë kanë edhe 2 javë kohë për të përfituar nga “vetërregullimi”, duke qenë se afati 3-mujor i vendosur më herët u shty deri në datën 28 shkurt.
Gjatë kësaj periudhe, këta abonentë mund të kryejnë deklarimet për lidhje të paligjshme pa u penalizuar, sikurse përcakton legjislacioni në fuqi. Ndërkohë që, për bizneset tashmë kanë nisur kontrollet në terren për verifikimin e tyre. Megjithatë, ata mund të përfitojnë në çdo kohë nga mundësia e lidhjes së aktmarrëveshjeve, për të likuiduar me këste detyrimet e krijuara në vite. Aktualisht, pjesa dërrmuese e shoqërive të ujësjellës-kanalizime e ofron këtë mundësi, duke lehtësuar debitorët në shlyerjen e borxheve të vjetra.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.