Bizneset, kundër daljes në treg të lirë energjie: Rritje e çmimeve dhe papunësi, fillimisht të garantohen kushtet për treg të paanshëm e të ngrihet bursa

Shoqatat e biznesit kundërshtojnë daljen në treg të lirë energjie të 7538 subjekteve në kushtet aktuale që ofron tregu energjetik, ndërsa shtojnë se ky ndryshim do të sjellë rritjen e ndjeshme të kostove të prodhimit, të shpërndarjes e të magazinimit të mallrave dhe produkteve e për pasojë edhe rritjen e çmimeve për konsumatorët. Po ashtu, ata paralajmërojnë ulje të prodhimit, të importeve dhe eksporteve, duke rezultuar në një tkurrje të ekonomisë, e cila do të pasohet me uljen e punësimit dhe uljen e kontributeve e taksave.
Në një konferencë për shtyp shoqatat i drejtuan një sërë kërkesash instititucioneve shtetërore, duke theksuar mos rritjen e tarifave të shpërndarjes dhe transmetimit, si dhe garantimin e një tregu energjetik të paanshëm e demokratik.
Po ashtu, shoqatat kërkuan krijimin urgjent të një tryeze teknike negociatash, me praninë e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe Komunitetit Europian.
Aktualisht, Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe ai i Shpërndarjes kanë aplikuar për rrtijen e tarifave të transmetimit dhe shpërndarjes, çka ndikon drejtpërdrejt në çmimin fundor me të cilin bizneset sigurojnë energjinë. Ndërkohë që, ndonëse synohet prej vitesh, bursa e energjisë nuk është ngritur ende.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.