Biznesi francez i frikësuar – Dueli Le Pen-Melenchon, katastrofë në terma ekonomikë

Kompanitë franceze tashmë po përgatiten për më të keqen. Fitorja e le Pen apo Melenchon në zgjedhjet presidenciale do të sjellë në jetë platforma politike që nxisin ngritjen e barrierave tregtare, apo edhe daljen e vendit nga Eurozona.
Kompanitë më të mëdha në vend tashmë po vlerësojnë mundësinë e transferimit në Londër në rast të fitores së Melenchon, i cili mesa duket e tremb biznesin edhe më shumë se Marine le Pen, e njohur për retorikën anti-euro dhe proteksioniste sa i përket tregtisë dhe ekonomisë.
Fitorja e secilit prej dy kandidatëve të esktremeve, si majtas ashtu edhe djathtas, përkthehet në një rënie të euros dhe bonove qeveritare, pra goditje për bankat dhe kompanitë e sigurimit që janë edhe zotëruesit më të mëdhenj të titujve të borxhit shtetëror.
Kompanitë e mëdha në sektorin tregtar, fillimisht do të përfitonin nga rënia e euros, por proteksionizmi dhe taksat më të larta do të cënonin bindshëm perspektivën afat-mesëm dhe afat-gjatë.
Protagonistët e sipërmarrjes franceze shprehen se, filozofia e të dy kandidatëve është shumë e qartë; ata janë të dy kundër biznesit.
“Nuk do të guxonim të mendonim një duel mes Le Pen dhe Jean Luc Melenchon në raundin e dytë, pasi kjo do të ishte një katastrofë në terma ekonomikë“-shprehen ata.
Lajmi i mirë është se, asnjë nga të dy nuk projektohet si fitues i garës, pavarësisht se sondazhet e kanë humbur ndjeshëm besueshmërinë gjatë viteve të fundit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.