BQE mbi stabilitetin financiar – “Mbështetet nga ekonomia e fortë, tregjet mbeten të cënuara”
Rreziqet ndaj stabilitetit financiar në Eurozonë janë të përmbajtura, mbështetur nga rimëkëmbja e gjerë ekonomike në rajon, tregon Banka Qendrore Europiane në raportin mbi stabilitetin. Me një rimëkëmbje ekonomike që ka zgjatur për 18 tremujorë radhazi, Eurozona ndodhet në performancën më të mirë në një dekadë dhe treguesit kryesorë sugjerojnë se ky optimizëm ka mbërritur më në fund edhe në vendet periferike.
“Kushtet e përmirësuara ekonomike mbështesin përfundimin se nuk ka një mbivlerësim të përgjithshëm në tregjet financiarë të Eurozonës. Megjithatë, rreziqet globale mund të shkaktojnë një korrigjim në çmimet e aktiveve, që mund të ketë pasoja negative ndaj stabilitetit financiar”, shkruan BQE.
Sipas institucionit në Frankfurt, ndër cënueshmëritë kryesore janë; një riçmim i menjëhershëm i primit global të rrezikut, përfitueshmëria e dobët e sektorit bankar, shqetësimet mbi borxhet publike dhe rreziqet e likuiditetit në sektorin jo-financiar.
“Rritja e pranimit të rrezikut në tregjet financiar përbën një burim shqetësimi, pasi mund të sjellë korrigjime të mëdha të çmimeve të aktiveve në të ardhmen”, deklaron BQE.
Sipas institucionit, çmimet në tregun e pronave vazhdojnë të jenë në kontroll, pavarësisht rritjes së çmimit të banesave sipër mesatares afat-gjatë. Ndërkohë që përfitueshmëria e bankave është rimëkëmbur disi, vlerësimet e tyre qëndrojnë të dobëta, duke sjellë shqetësime mbi aftësinë e huadhënësve për të gjeneruar kthime që korrespondojnë me koston e kapitalit.
Ndërsa një rritje në kthimet (yield) e obligacioneve mund të risjellë shqetësime mbi borxhet sovrane, shumica e vendeve kanë rritur kohëzgjatjen (duration) e borxheve të tyre, duke treguar se rritja në koston e financimit të qeverive do të ketë një ndikim më gradual.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.