BQE nuk do të devijojë – Draghi, Constancio dhe Praet thonë se stimujt do të vazhdojnë

Rritja ekonomike në Eurozonë mund të jetë duke u përmirësuar dhe Banka Qendrore Europiane do të reflektojë këtë, por inflacioni qëndron i dobët prandaj dhe nuk duhet devijuar nga drejtimi i politikave monetare, thonë zyrtarët kryesorë të Institucionit.
Komentet nga Presidenti i Bankës, Mario Draghi tregojnë se institucioni në Frankfurt do të jetë tejet i kujdesshëm me heqjen e programit të stimujve.
Draghi, Zv/presidenti Vitor Constancio dhe kreu i ekonomistëve Peter Praet, pranuan se ekonomia e Eurozonës ndodhet në performancën më të mirë në një dekadë. Megjithatë, ata theksuan disa çështje si rritjen e dobët te inflacionit, pagave dhe dobësitë në tregun e punës.
Ndërkohë që ekonomia po rimëkëmbet, vende konservatore si Gjermania i kanë bërë thirrje Bankës Qendrore Europiane që të nisë përfundimin e stimujve, pasi efektet anësore po fillojnë të fshijnë benefitet e këtyre.
“Kur prezantuam instrumentet jo-tradicionale të politikave, ishim në dijeni se do të rezultonin në efekte anësore më të theksuara se instrumentet e zakonshëm”, tha Draghi.
Banka do të zhvillojë takimin e radhës më datë 8 Qershor dhe tregjet presin që zyrtaret në Frankfurt të ndryshojnë tonin mbi ekonominë.
Ndër efektet më të forta negative janë flluskat në tregun e pronave dhe përfitueshmëria e dobët e bankave, por Banka Qendrore Europiane i hodhi poshtë këto shqetësime në raportin mbi stabilitetin financiar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.