“Brexit i afron fundi” – May: Ka ende shumë çështje të pazgjidhura
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, tha se ka ende shumë çështje të pazgjidhura me Bashkimin Europian për Brexit, ndërkohë që të dyja palët po i afrohen fundit të negociatave për daljen nga blloku. May i përshkroi negociatat si jashtëzakonisht të vështira. Plani i saj, që synon ruajtjen e marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Europian, përballet me kundërshti nga mbështetësit e Brexit, pro-europianët dhe partia e Irlandës së Veriut, që përbëjnë Qeverinë e saj.
Ndërkohë që vetëm 5 muaj kanë mbetur përpara se Britania të dalë nga Bashkimi Europian, bisedimet kanë ngecur në çështjen e kufirit të Irlandës së Veriut, ku kërkohet siguri që nuk do të ketë ashpërsim të kufijve në Ishull, nëse nuk arrihet në kohë një marrëveshje tregtare.
“Negociatat për daljen nga Europa po i afrohen fundit dhe ne po punojmë edhe gjatë natës, për të bërë progres në çështjet e mbetura. Të dyja palët kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje, por ajo që po negociojnë është jashtëzakonisht e vështirë. Populli britanik kërkon që ne të përfundojmë Brexit dhe unë nuk do të bëjë kompromise për ate që populli votoi në referendum”, tha May.
Propozimi i periudhës së tranzicionit deri në Dhjetor të vtit 2021, ka irrituar euroskeptikët në partinë e Theresa May. Negociatat do të vazhdojnë në mënyrë intensive këtë javë, por zyrtarët kanë paralajmëruar se nëse nuk ka progres të theksuar deri në datën 14 Nëntor, nuk ka gjasa të zhvillohet një samit këtë muaj për të miratuar Brexit.
Duke dhënë një fjalim të rëndësishëm për politikat e jashtme, May shtoi se Britania është e hapur për marrëdhënie më të mira me Rusinë, pas sulmit ndaj spiunit rus në Britani. Ajo tha se Britania është gati të reagojë pozitivisht nëse ka shenja të bashkëpunimit nga Rusia.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.