“Frenon” inflacioni në Britani – Në 1.8% gjatë Janarit, projeksione shqetësuese
Norma e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar u rrit nën pritshmërinë e tregjeve dhe analistëve gjatë Janarit, tregojnë të dhënat e fundit. Kjo vjen, pasi uljet e sezonit nëpër dyqane penguan një rritje të çmimeve edhe më pranë objektivit të Bankës së Anglisë.
Çmimet e konsumit gjatë muajit të parë të vitit u rritën me 1.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që në muajin Dhjetor, rritja fiksohej pranë 1.6%, tregon zyra e statistikave në vend.
Projeksionet ndërkohë flisnin për një normë inflacioni pranë 1.9%. Norma bazë e inflacionit mbeti e pandryshuar pranë 1.6%. Gjithsesi, rritja e çmimit të karburanteve, sëbashku me paundin e dobët pritet të nxisin shumë shpejt inflacionin përtej objektivit të Bankës Qendrore, që është i fiksuar në 2%.
Disa ekonomistë projektojnë një normë pranë 3% në fund të këtij viti. Inflacioni i lartë sëbashku me rritjen anemike të pagave pritet të gjenerojnë një ngadalësim të ekonomisë si pasojë e tkurrjes së konsumit privat. Vetë Banka Anglisë projekton një normë pranë 2.8% këtë vit.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.