Britania i “bie shkurt” – Do kopjojë marrëveshjet tregtare të BE me vendet e tjera

Britania e Madhe kërkon që të kopjojë në mënyrë identike marrëveshjet tregtare që Bashkimi Europian ka me vendet jashtë rajonit. Kjo do të ishte mënyra më e thjeshtë e me më pak kosto, për të mos humbur asgjë pas daljes formale nga unioni, në Mars të vitit 2019, të paktën në drejtim të tregtisë.
Britanisë do t`i duhet të negociojë dhe nënshkruajë nga e para marrëveshje tregtare me secilin vend, sikur të ishte një shtet i ri, pasi deri më tani përfitonte nga fakti i të qenit pjesë e unionit. Deklarata se, Britania po kërkon të kopjojë këto marrëveshje, erdhi nga vetë kryeministrja e vendit, Theresa May. Liria e firmosjes së marrëveshjeve tregtare pa diktatin e Bashkimit Europian është trumbetuar nga qeveria si një ndër përfitimet më të mëdha të Brexit.
Deklarata e May u bë gjatë një takimi biznesi në Japoni. Sipas saj, hapi i parë i katapultimit të Britanisë si lider global në tregti, do të jetë pikërisht ai i replikimit të këtyre marrëveshjeve të tregtisë së lirë. “Unë besoj se ne do ti japim biznesit sigurinë, që është pikërisht ajo që biznesi do të ketë nevojë në momentin e daljes” -shtoi kryeministrja britanike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.