Britania u kërkon aleatëve të bashkohen kundër “qëndrimit rus ndaj Ukrainës”!
Mbretëria e Bashkuar u bëri thirrje aleatëve të “paraqesin një front të bashkuar kundër… qëndrimit rus ndaj Ukrainës” përpara një takimi të ministrave të jashtëm të G7 në Liverpool këtë fundjavë. Mbretëria e Bashkuar paralajmëroi se çdo pushtim rus i Ukrainës do të ishte “një gabim serioz strategjik dhe do të jepte pasoja të rënda”.
Vendet e NATO-s kanë paralajmëruar se do të shkaktojnë sanksione ekonomike nëse Rusia pushton Ukrainën. Shumë vende perëndimore kanë shprehur shqetësimin për një grumbullim trupash në kufirin ukrainas.
Sekretarja e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss tha se ajo dëshironte të punonte me vende të tjera “për t’u siguruar që kombet e lira demokratike të jenë në gjendje të kenë një alternativë ndaj furnizimeve me gaz rus” në mes të një krize të gazit natyror në Europë.
Takimi do të jetë i pari për ministren e re të jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, pasi qeveria e re e vendit mori detyrën javën e kaluar. Ndërkohë, negociatat po vazhdojnë në Vjenë në përpjekje për të rikthyer palët në përputhje me marrëveshjen bërthamore të Iranit.
Ndryshimet klimatike, tensionet në Ballkanin Perëndimor, Afganistan dhe Korenë e Veriut janë gjithashtu në axhendën e një takimi që do të përfshijë ministrat e jashtëm dhe të zhvillimit nga vendet e G7.
Britania është e prirur të punojë më ngushtë me kombet aziatike si pjesë e një “animi Indo-Paqësor” pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian vitin e kaluar – si për të nxitur tregtinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe si një kundërpeshë ndaj dominimit të Kinës. Truss ka ftuar ministra nga Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore në takimin e Liverpulit, megjithëse shumë do të bashkohen nga distanca për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.