Brukseli i “shtrin dorën” Italisë – “Jemi të gatshëm që ta ndihmojmë financiarisht me emigrantët”

Komisioneri Europian për emigracionin, Dimitris Avramopoulos deklaroi se, unioni është i gatshëm që të ndihmojë Italinë sa i përket çështjes së emigrantëve.
Kjo shtrirje e dorës së Brukselit ndaj Romës zyrtare, vjen menjëherë pasi kjo e fundit kërcënoi me mbyllje të porteve, pasi situata po bëhet e papërballueshme.
Çdo ditë, mijëra emigrantë, kryesisht afrikanë dhe sirianë zbarkojnë në brigjet italiane. Pjesa dërrmuese e tyre zbarkojnë në portet italiane me anijet e ndihmës humanitare, që kryejnë operacione shpëtimi në det të hapur, e më pas i sjellin të mbijetuarit në Itali.
Këtë vit ndërkohë, numri i refugjatëve në vend është rritur ndjeshëm, rreth 14% më i lartë se një vit më parë.
Ambasadori i Romës në Bruksel gjatë takimit me Komisionerin për Emigracionin i tha këtij të fundit se, situata me të cilën po përballet Italia është serioze dhe se, Europa nuk mund t`i kthejë kurrizin.
Avramopoulos nga ana e tij deklaroi se, Bashkimi Europian është i gatshëm që të ofrojë një ndihmë financiare shtesë dhe se do ta diskutojë këtë çështje me ministrat e brendshëm të rajonit në Estoni gjatë javës së ardhshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.