BSH bleu 71.2 mln euro në vitin 2017 – Kërkesa e Bankës Qendrore nuk e frenoi dobësimin
Banka e Shqipërisë organizoi të premten ankandin e radhës për blerjen e euros, në vazhdim të objektivit për rritjen e rezervës valutore.
Por, pavarësisht nga blerjet në shuma të konsiderueshme, që prej vitit të kaluar, kërkesa e Bankës së Shqipërisë për euro nuk e ka frenuar zhvlerësimin e monedhës europiane në tregun valutor.
Mjafton të themi se gjatë gjithë vitit 2017, Banka e Shqipërisë ka organizuar shtatë ankande, në të cilat ka blerë 71.2 milionë euro në tregun e brendshëm. Pothuajse gjysma e kësaj shume është blerë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Edhe gjatë vitit 2018, janë planifikuar 10 ankande të tjera, prej të cilave tre janë zhvilluar, përfshi atë të sotmin. Shumat e blera këtë vit ende nuk dihen, sepse Banka e Shqipërisë i publikon ndërhyrjet në tregun e parasë me të paktën tre muaj vonesë.
Megjithatë, sipas kalendarit të ankandeve, në secilin prej tyre parashikohen blerje valute nga tre deri në gjashtë milionë euro, që mund ta çojë vlerën e euros së blerë gjatë këtij viti në 60 milionë euro të tjera.
Në teori, këto ankande të Bankës së Shqipërisë duhet të sillnin kërkesë më të lartë për euro në tregun valutor dhe rrjedhimisht një forcim të monedhës europiane ndaj lekut. Por, një gjë e tillë nuk po ndodh dhe euro ka prekur nivelet më të ulëta në dekadën e fundit.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit, mesditën e të premtes euro këmbehej me 129.29 lekë, në një rënie të lehtë me 0.13 pikë nga dita e enjte. Në mungesë të blerjeve nga Banka Qendrore, ndoshta euro mund të ishte zhvlerësuar edhe më shumë.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi ta zmadhojë rezervën valutore, si rezultat i euroizimit të lartë të sistemit financiar dhe, në veçanti, nga rritja e ndjeshme e depozitave në euro gjatë tre viteve të fundit.
Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Megjithatë, në raste të veçanta, kjo rezervë mund të përdoret edhe kundër goditjeve të forta në kursin e këmbimit, në shërbim të ruajtjes së stabilitetit financiar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.