BSh tregon gjendjen ekonomike të shqiptarëve – Ndalojnë blerjet e mëdha dhe kursimin, pesimistë për të ardhmen

Ndryshe nga biznesi, Treguesi i Besimit Konsumator si komponent i Treguesit të Ndjeshmërisë Ekonomike regjistrohet në rënie gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Rënia fiksohet në 2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin paraardhës. “Ecuria e TBK-së pasqyroi rënien e tre prej katër komponentëve formues të tij: balanca e blerjeve të mëdha, me 8.9 pikë përqindje, si dhe dy balancat e pritjeve të situatës së përgjithshme ekonomike dhe situatës financiare të familjes, me përkatësisht 1.0 dhe 0.4 pikë përqindje.
Ndërkohë, balanca lidhur me gjendjen aktuale të të ardhurave dhe shpenzimeve përmirësua me 2.2 pikë përqindje”-thotë Banka e Shqipërisë. Duke parë komponentët e këtij tregtuesi, thuajse të gjithë regjistrohen në rënie, më përjashtim të atij të gjendjes aktuale financiare, atij të situatës ekonomike aktuale, si dhe pritjet për kursim. Pavarësisht përmirësimit të treguesit për situatën aktuale financiare, ai për pritshmëritë ka pësuar një rënie, duke prekur nivelin më të ulët që prej shpërthimit të pandemisë, madje edhe më dobët se T2 dhe T3 i vitit të kaluar.
Edhe indikatori i situatës financiare gjatë 12 muajve të kaluar ka prekur nivelin më të ulët që prej shpërthimit të pandemisë, së bashku me atë të kursimit aktual, që ka barazuar rezultatin e tremujorit të dytë të vitit. Ky tregues duket paradoksal po të kemi parasysh faktin që ai i situatës aktuale financiare është në përmirësim. Por, pritshmëritë për kursim kanë prekur nivelin më të lartë që prej shpërthimit të pandemisë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.