Bum padish kundër ARRSH – 60 përplasje gjyqësore në Tiranë për kontratat e rrugëve

Autoriteti Rrugor Shqiptar është një prej institucioneve më të paditura nga biznesi. SCAN ka zbardhur të paktën 60 përplasje mes këtij institucioni dhe kompanive private të regjistruara në Gjykatën Administrative të Tiranës, ndërkohë që 15 te tjera janë regjistruar në Gjykatën e Lartë.
Motivet e përplasjeve mes kompanive dhe Autoritetit Rrugor nisen nga mosrespektimi i shlyerjes së pagesave, te mosrespektimi i kontratave, deri te paditë për përzgjedhjen e fituesve nëpër tendera të ndryshëm. Vlerat e padive arrijnë në disa raste në qindra miliona lekë.
Ndërkohë, kostot shumë të larta të vendimeve gjyqësore të Autoritetit Rrugor Shqiptar duket se janë kthyer në një barrë të rëndë për buxhetin e shtetit. Në një auditim të kryer në drejtoritë rajonale Tiranë dhe Shkodër, Ministria e Financave ka zbardhur detyrime të papaguara për vitin 2016 në vlerën mbi 10 milionë dollarë.
Vetëm për periudhën janar-gusht 2016, ARRSH ka krijuar detyrime të reja për 8 kontrata investimesh, ndërtime dhe rikonstruksione, në vlerën 751 milionë lekë. Më shumë se 124 milionë lekë nga këto detyrime u përkasin vendimeve gjyqësore të papaguara nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.