Bum padish për patentat – Drejtuesit e mjeteve i drejtohen Gjykatës për pikët dhe gjobat
Drejtuesit e mjeteve nuk kanë pritur ligjin e ri për t’iu drejtuar gjykatave për të ankimuar heqjen e pikëve apo pezullimin e patentave. TV SCAN ka mësuar se më shumë se 70 drejtues mjetesh i janë drejtuar gjatë dy muajve të fundit Gjykatës Administrative për të shfuqizuar vendimet e Policisë Rrugore për heqjen e patentave, të pikëve apo të gjobave të kripura.
Pjesa më e madhe e padive është bërë për rikthimin e patentave që u janë mbajtur apo pezulluar nga organet e rendit, ndërkohë që nuk mungojnë as kërkesat për shfuqizimin e heqjes së pikëve apo të gjobave që shkojnë kryesisht nga nivelet 5 mijë lekë, deri në 25 mijë lekë.
Numri i madh i padive në Gjykatë, risjell në vëmendje debatin mbi Komisionet e Policisë Rrugore, organet që shqyrtojnë aktualisht ankimimet e drejtuesve të mjeteve. Ka qenë vetë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj që i ka cilësuar të panevojshme këto Komisione.
Ndërkohë që ky dikaster ka përgatitur edhe një projektligj i cili do bëjë të mundur shkrirjen e tyre dhe ankimimin drejtpërdrejt në gjykatë të masave të Policisë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.