Bursat europiane në rënie modeste – Në fokus të investitorëve, tensioni politik në Spanjë
Tregjet financiare në Europë po ndryshojnë pak edhe në sesionin e sotëm, për të njëjtën arsye; tensioni politik në Spanjë. Autoritetet lokale në Katalonja kanë paralajmëruar se do të shpallin pavarësinë nga Spanja në ditën e hënë.
Indeksi pan-Europian Stoxx 600 është në rënie të lehtë me 0.1%, me sektorin e ndërtimit dhe materialeve, që realizojnë performacën më të dobët.
Kompania irlandeze e materialeve të ndërtimit, CRH doli jashtë gare për të blerë kompaninë amerikane të prodhimit të çimentos, Ash Grove. Për këtë arsye, aksionet e CRH kanë humbur rreth 1.5% të vlerës.
Edhe sektori bankar po gjendet nën presion për shkak se investitorët janë të shqetësuar mbi tensionin politik në Spanjë. Gjykata Kushtetuese në Spanjë urdhëroi parlamentin rajonal të Katalonjës të mbyllet të hënën, duke ngritur dyshime nëse ky rajon do të shpallë pavarësinë në fillim të javës së ardhshme.
Megjithatë, të premten në mëngjes, qeveria e Katalonjës deklaroi se, do të mbledhë parlamentin të hënën, pavarësisht urdhërit të gjykatës. Për këtë arsye, indeksi i Spanjës, IBEX, po gjendet sërish nën presion në sesionin e sotëm.
Ndërkohë, Banco Sabadell deklaroi se do të zhvendosë zyrat e saj jashtë Katalonjës, ndërsa të njëjtin vendim mund të ndjekë edhe Caixabank.
Ndërsa në Itali, banka Monte dei Paschi që u shpëtua nga shteti, deklaroi se do të bëjë një ofertë publike vullnetare, për të shkëmbyer aksionet që zotërohet nga ish-aksionerët me pakicë me ata që janë zotëruesit më të mëdhenj të borxhit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.