Buxheti i turizmit/Rritje me “pikatore”. Në vitin 2019, për zhvillimin vetëm 287 mln lekë
Buxheti i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit do të pësojë një rritje të lehtë gjatë tre viteve të ardhshëm. Aktualisht buxheti i kësaj ministrie është në vlerën e 2.2 miliardë lekëve, ndërsa në vitin 2019 ky buxhet do të jetë në vlerën e 2.3 miliardë lekë për të shkuar në 2.4 miliardë lekë në dy vitet që pasojnë.
Ajo që bie në sy nga analiza e buxhetit afatmesëm 2019-2021 është fakti se fondi për zhvillimin e turizmit në 2019 do të ulet në 287 milionë lekë nga 315 milionë lekë që është aktualisht.
Megjithatë kjo ministri ka si qëllim që të bëjë diversifikim të produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor. Programi “Zhvillimi i turizmit” synon që të arrijë rritjen e kontributit direkt që ka turizmi në produktin e brendshëm bruto (nga 9% që vlerësohet në vitin 2018).
Në këtë sektor synohet që të rritet edhe numri i të punësuarve, e në të njëjtën kohë të kemi edhe rritje të turistëve jashtë sezonit. Ndërkohë që tre vitet e ardhshëm duket se do të bëhen realitet iniciativat për rritjen e numrit të bizneseve në sektorin e agroturizmit.
Një tjetër zë në buxhetin e kësaj ministri që pritet të ketë vëmendjen maksimale është edhe administrimi i pyjeve që për vitin 2019 prite të marrë gjysmën e vlerës së buxhetin në total. Për administrimin e pyjeve në vitin që vjen do të përdoren rreth 1.1 miliard lekë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.