Bypass i Vlorës/Mbyllen 12% e punimeve, Balluku: Përfundon në 2021
Punimet për ndërtimin e bypass-it të Vlorës janë përmbyllur në masën 12%, ndërkohë që e gjithë vepra pritet të përfundojë brenda afatit të përcaktuar në kontratë, që është viti 2021. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka inspektuar kantierin, duke u njohur me ecurinë e punimeve.
“Bypassi i Vlorës është 29 km i gjatë. Punimet kanë nisur në të gjithë gjatësinë e rrugës, kryesisht me punimet e gërmimeve në disa seksione dhe me themelet e urave. Ndërkohë kontraktori ka nisur ndërtimin e mbulesave dhe jemi duke vazhduar punën. Progresi i bërë deri tani është rreth 10-12% dhe i gjithë procesi është duke ecur mire”, është shprehur supervizori i punimeve Demetrios Tsolkas
Po ashtu, supervizori bëri me dije dhe punimet që pritet të kryhen në vijim.
“Në fazat e para të çdo projekti ka shumë punime parapërgatitore që duhen kryer dhe shumë çështje që duhen zgjidhur, aksesi në rrugë, aksesi për të ndërtuar urat, pra punë që nuk mund të shihen nga fillimi, por që janë duke u kryer në shumë pjesë të rrugës. Të gjitha punimet kanë bërë progres dhe në muajt e ardhshëm unë pres që ndërtimet e mëdha, që janë 5 ura të kenë filluar ndërtimin” u shpreh ai.
Bypass-i i Vlorës lidh autostradën Levan – Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, ndërkohë që Balluku kërkoi që gjatë punimeve të ketë një impakt minimal në mjedis.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.