Çekia lidhet me Shqipërinë – Fluturim Tiranë-Pragë, kompania “ankohet” për tarifat

Një tjetër kompani ajrore i është shtuar flotës së Aeroportit Nënë Tereza. Smartwings, ka filluar zyrtarisht fluturimet, dy herë në javë nga Tirana në Pragë.
Smartwings është dega low cost e Travel Service, që është kompania më e madhe ajrore çeke.
Fluturimet direkte dy herë në javë do të jenë ditën e Hënë dhe të Enjte. Për futjen e këtij itinerari nga Tirana në Pragë ka lobuar fuqishëm edhe ambasada Çeke në Shqipëri, duke parë edhe fluksin e turistëve çek që vizitojnë vendin tonë.
Vetëm në 2016-ën vlerësohet se Shqipërinë e vizituan rreth 14 mijë turistë çek.
Kompania shpreson se ky itinerar do të vazhdojë të operojë edhe jashtë sezonit veror. Ndër të tjera, Smart Wings shpreson se, kjo linjë e re fluturimi do të nxisë edhe turistët shqiptarë që të vizitojnë Çekinë.
Itinerari i ri do të vazhdojë deri në fund të Shtatorit, e më pas do të rishikohet duke vlerësuar edhe bilancin.
Vetë kompania deklaron se, reduktimi i tarifave aeroportuale do të mundësojë vijimin e këtij itinerari përgjatë të gjithë vitit, dhe jo vetëm gjatë sezonit veror.
Tarifat e larta aeroportuale reflektohen edhe të çmimet e reja të fluturimit Tiranë-Pragë dhe anasjelltas, që nuk i afrohen aspak atyre low-cost.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.