“Tirana – 2 vjet zgjuar” -Veliaj bën bilancin e punës në Njësinë nr.2

Në vijim të turit “Tirana – dy vjet zgjuar”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ndal në Njësinë Administrative Nr. 2, ku zhvilloi një takim me banorët e zonës dhe bëri bilancin e punëve të kryera në pjesën e parë të mandatit.
Duke u ndalur te investimet e kryera në këtë njësi, Veliaj u shpreh se një nga punët më të rëndësishme të bëra në këtë zonë është rikonstruksioni i Liceut Artistik, një investim nga i cili nuk përfiton vetëm kjo njësi, por e gjithë Shqipëria.
“Një ndër kryeveprat e punëve që kemi bërë, pavarësisht se njerëzit vlerësojnë më shumë sheshin “Skënderbej”, këndin e lojërave te Liqeni, Parkun Olimpik dhe Pazarin e Ri, është rikonstruksioni fantastik i liceut “Jordan Misja”. Besoj se morëm një nga shkollat më të degraduara të Republikës së Shqipërisë, vendi që ka prodhuar më shumë talente Made in Albania, dhe sot i kemi kthyer dinjitetin, siç na sjellin dinjitet të gjithë yjet e Shqipërisë sa herë që performojnë jashtë vendit”, tha ai.
Veliaj u shpreh se një tjetër investim me vlerë kombëtare në këtë njësi është edhe rikonstruksioni që po i bëhet shkollës së baletit.
“Këtë shtator kemi lajm të mirë edhe për një shkollë tjetër kombëtare, atë të Baletit, e cila thuajse është rikonstruktuar. Ne themi o sa mirë me qenë shqiptarë, por të shihje se si mund të bëhej balet aty, ku shiu që binte jashtë futej brenda në parket, ishte ndoshta pamja më e dhimbshme që mund të kem parë ndonjëherë. Shkoni ta shikoni sot, në shtator e hapim, lum ata që do të mësojnë të bëhen balerinë në shkollën koreografike të Tiranës!”, deklaroi Veliaj.
Një tjetër investim nga e cila do përfitojë Njësia 2 është edhe ai për ndërtimin e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” dhe infrastruktura ndihmëse, siç është parkimi nëntokësor, si dhe kthimi i gjithë zonës në pedonale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.