Çfarë po ndodh me pronat në Sarandë-Vlorë? Gazeta greke raporton për telefonatë Rama-Tsipras. Miratohet VKM e re
Në fund të vitit të kaluar, qeveria shqiptare miratoi një vendim që përcakton regjistrimin dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin të pronave të paluajtshme shtetërore, në zonat kadastrale që i përkasin vijës bregdetare Vlorë– Sarandë, me qëllim përdorimin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm në turizëm.
Lista e pronave shtetërore që kalojnë në administrimin e ministrisë së Turizmit i përkasin plazheve të jugut. Në listë janë pronat në bregdetin e Dhërmiut, Jalës, Akuariumit të Jalës, Livadhit, Himarës, Potamit, Gjiri i Filikurit, Porto Palermo, Lukovë, Shën Vasil etj.
Vendimi përcakton se ministrisë përgjegjëse për turizmin i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronave të paluajtshme, t’i tjetërsojë ose t’ua japë ato në përdorim të tretëve, përveç projekteve të investimit në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit.
Por ky vendim ka shkaktuar jo pak reagime në radhët e organizatave që përfaqësojnë minoritarët në Shqipëri e madje ka pasur edhe një letër të posaçme për këtë çështje që i është dërguar nga Greqia Komisionit Europian me argumentin se vendimi sjell “rrëmbimin” e pronave të tyre.
Ndërkohë, gazeta greke “Ekathimerini” raporton për një bashkëbisedim telefonik në nivel kryeministror mes dy vendeve. Sipas gazetës, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka komunikuar me telefon me homologun e tij shqiptar Edi Rama ditën e sotme ku është biseduar për çështjen e pronave dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.
“Tsipras ka paralajmëruar Shqipërinë javën e kaluar se aspiratat integruese do të minoheshin nëse do të cënoheshin të drejtat e pronësisë së minoritetit grek në Shqipëri” shkruhet në artikull.
Ndërkohë, në mbledhjen e fundit qeveria ka miratuar një vendim të posaçëm për regjistrimin dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmit të disa pronave të paluajtshme shtetërore në vijën bregdetare Vlorë-Sarandë.
Në vendimin e miratuar përcaktohet se “pronat e paluajtshme në këtë zonë, që ndodhen në zonat në të cilat nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar, do të regjistrohen në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin, pasi të ketë përfunduar procesi i regjistrimit fillestar të pronave private në zonat kadastrale të përfshira në këtë vendim”.
Kjo nënkupton se fillimisht do t’i jepet prioritet regjistrimit fillestar të pronave private e më pas do të bëhet regjistrimi i pronave shtetërore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.