Conte, i gatshëm për më shumë shpenzime. Do rrisë deficitin publik të Italisë për të mbështetur bizneset në karantinë
Qeveria e italisë është gati të rrisë defiçitin buxhetor për vitin 2021 dhe rishikojë objektivin e këtij viti, për të financuar mëtej bizneset e goditura nga Covid-19, sipas Kryeministrit Giuseppe Conte. Roma miratoi javën e kaluar një paketë të ndihmave prej 2.9 miliardë euro për të zbutur goditjen ekonomike nga karantina e re kombëtare. “Jemi të gatshëm të ndërhyjmë në favor të të gjithë atyre që do pësojnë humbje të mëtejshme, përfshirë rritjen e defiçitit në vitin e ardhshëm”, -tha Conte për La Stampa.
Defiçiti buxhetor ka një objektiv prej 10.8% të PBB këtë vit dhe 7% në vitin 2021. Conte tha se karantina e re kombëtare nuk ishte zgjedhja e preferuar, pasi kostot janë shumë të mëdha. Kufizimet e reja, që u bënë efektive ditën e Premte, janë më pak të ashpra se karantina e muajit Mars. Ato ndajnë vendin në 3 zona, bazuar tek intensiteti i epidemisë. Shumë dyqane dhe biznese janë mbyllur në zonat me rrezik të lartë si Lombardia, ku njerëzit mund të dalin nga shtëpia vetëm për punë, arsye shëndetësore, apo emergjenca. Conte shtoi se Qeveria do të prezantojë së shpejti një plan kombëtar në parlament për shpërndarjen e vaksinave. Italia pret të marrë 3.4 milionë doza tëvaksinës që po zhvillohet nga Pfizer dhe BioNTech.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.