Covid-19 “ngrin” mbi 1900 biznese – Sipërmarrjet pezullojnë aktivitetin për t’u shpëtuar detyrimeve

Mbyllja e pjesës më të madhe të bizneseve si masë e marra nga qeveria për frenimin e përhapjes së Coronavirus, ka nxitur edhe aplikimet për pezullim të përkohshëm të aktivitetit, në mënyrë që këto subjekte të mos paguajnë detyrime gjatë kësaj periudhe. Sipas të dhënave zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit në 5 muaj, pra deri në fillim të Majit, rezultojnë 1920 aplikime për pezullim të aktiviteti, ku pjesa më e madhe e tyre janë bërë gjatë dy muajve ku vendi ishte nën regjimin e rreptë të masave kundër pandemisë.
Gjatë kësaj periudhe, Qendra Kombëtare e Biznesit ka sqaruar edhe procedurën që duhet të ndjekin subjektet në këtë rast. Sipas këtij institucioni subjektet person fizik/juridik që kërkojnë të pezullojë aktivitetin e tyre, për shkak se sportelet fizike të Qendrës Kombëtare të Biznesit janë mbyllura, duhet të aplikojë nëpërmjet sportelit elektronik në e-albania, për pushimin e përkohshëm të aktivitetit (pezullim). Kusht për bizneset është që përpara këtij aplikimi, të sigurohen që nuk kanë detyrime të pashlyera ndaj organeve tatimore, pasi në të kundërt aplikimi nuk do të jetë funksional.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.