COVID – A ndihmojnë në të vërtetë vitaminat në luftimin e infeksionit?
Ka një numër të lartë studimesh që përpiqen të studiojnë efektet e mikroelementëve te njerëzit, për të kuptuar sa ndihmojnë ato në “luftimin” e pandemisë së COVID – 19. Vitamina D, sipas këtyre studimeve, ka rezultuar mjaft efektive. Megjithatë, le të analizojmë disa fakte.
Një gjë e padiskutueshme është se furnizimi i mirë me mikroelementë, të tillë si vitaminat apo mineralet, është thelbësor për një sistem imunitar që funksionon. Vitamina D është një nga subjektet kryesore të studimit.
“Ky është një nga studimet që citohet vazhdimisht si provë e efektivitetit të vitaminës D” thotë Martin Smollich, një farmakolog dhe profesor në Institutin e Mjekësisë Nutricioniste, në Qendrën Mjekësore Universitare Schlesëig-Holstein, në Lübeck.
Nga 50 pacientë me COVID-19 të cilëve iu dha vitamina D, vetëm një u ul në njësinë e kujdesit intensiv, ndërsa në një grup tjetër të studimit, ku nuk ofrohej asnjë vitaminë D, 50% kishin nevojë për kujdes intensiv.
Por, ajo që duhet theksuar është se shkalla në rritje e mbipeshës sugjeron që shumë njerëz po dështojnë të zbatojnë praktikisht një dietë të shëndetshme, e në këtë mënyrë nuk po marrin një furnizim adekuat të lëndëve ushqyese.
Sipas studiuesve, njerëzit shpesh, në këtë periudhë, po marrin ushqim me bollëk, me dendësi të lartë energjie, por që në fakt, përmbajnë vetëm disa mikroelementë. Këtu përfshihen ushqimet e gatshme, pijet me sheqer, apo ëmbëlsirat.
Studiuesit shprehen se mungesa e lëndëve ushqyese dobëson sistemin imunitar, ndërsa mbipesha, diabeti dhe presioni i lartë i gjakut i “hap rrugën” një periudhe të rëndë të COVID-19.
Instituti Federal për Vlerësimin e Rrezikut (BfR) vjen në të njëjtin përfundim lidhur me vitaminën D. Ai rekomandon suplementë të vitaminës D për njerëzit e moshuar dhe të sëmurët kronikë.
“Ajo që është më e rëndësishme sesa marrja e mikroelementeve individuale është të sigurohemi që njerëzit në përgjithësi kanë një marrje të optimizuar të lëndëve ushqyese në mënyrë që një sërë sëmundjesh të mund të parandalohen – shkruan Smollich në blogun e tij – Masat e duhura ushqyese dhe të politikave shëndetësore do të dukeshin më urgjente dhe të nevojshme se kurrë në funksion të pandemisë së koronavirusit” shprehet Smollich.
Burimi origjinal: Deutsche Welle
Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.