Debati 5-ditor për Brexit – Bien shanset që parlamenti të votojë planin e May në 11 Dhjetor
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, pësoi një goditje në Parlament këtë javë, ndërsa nisi debati 5 ditorë për planin e saj për të dalë nga Bashkimi Europian. May kërkon të sigurojë miratimin në parlament të marrëveshjes së saj, që synon mbajtjen e një lidhjeje të ngushtë me Bashkimin Europian pasi Britania të dalë në muajin Mars.
Megjithatë, ka shumë kundërshtime për planin e saj, ndërkohë që përkrahësit e Brexit dhe kritikë të tjerë pritet ta refuzojnë.
Debati dhe votimi përfundimtar më datë 11 Dhjetor janë kritikë për të përcaktuar mënyrën se si do të dalë Britania nga Bashkimi Europian në 29 Mars 2019, që është ndryshimi më i madh i politikave të jashtme dhe tregtare të vendit në më shumë se 40 vite.
Planet e saj janë të cenueshme ndaj ndryshimeve gjatë ditëve të debatit dhe këshilla e juristëve europianë se Britania ka të drejtë që të kthejë mbrapsht Brexit, ka hapur një tjetër betejë në parlament.
“Është detyra e politikanëve që të realizojnë kërkesat e popullit britanik, të reflektuara në referendumin e vitit 2016. Ata votuan, ne i dhamë mundësinë. Ata donin daljen nga Europa dhe na takon ne që të realizojmë këtë tërheqje nga Bashkimi Europian, në interes të vendit tonë. Çfarë do të ndodhte me demokracinë tonë nëse vota më e madhe në historinë britanike kthehet mbrapsht për shkak se një pjesë e parlamentit nuk i pëlqen rezultati?”, deklaroi May.
Nëse deputetët nuk mbështesin planin, May tha se ekziston shansi që Britania të dalë pa marrëveshje për të zbutur tranzicionin ose që Brexit të mos ndodh.
Nëse çudia ndodh dhe May fiton votën e 11 Dhjetorit, Britania do të dalë nga Bashkimi Europian më 29 Mars, sipas kushteve që u negociuan me Brukselin.
Nëse humbet, May mund të kërkojë një votim të dytë për marrëveshjen. Megjithatë, humbja në parlament më datën 11 Dhjetor do të rrisë shanset e daljes pa marrëveshje, që do të sillte një goditje të madhe për ekonominë dhe bizneset britanikë dhe do të detyrojë May që të japë dorëheqjen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.