Debati për burimin e COVID-19/ Inteligjenca amerikane nuk mund të zgjidhë misterin pa bashkëpunimin e Kinës
Agjencitë e inteligjencës amerikane nuk besojnë se mund të zgjidhin debatin nëse një incident i laboratorit kinez ishte burimi i COVID-19 pa marrë më shumë informacion nga Kina, thanë zyrtarët amerikanë. Sipas tyre, vetëm Kina mund të ndihmojë në përgjigjen e disa pyetjeve në lidhje me origjinën e vërtetë të virusit që deri tani ka marrë jetën e 4.6 milionë personave në të gjithë botën. “Bashkëpunimi i Kinës është shumë i nevojshëm për të arritur një vlerësim përfundimtar të origjinës së COVID-19,” thanë ata.
Presidenti Joe Biden, i cili mori një raport të klasifikuar këtë javë duke përmbledhur hetimin që ai urdhëroi, deklaroi se Uashingtoni dhe aleatët e tij do të vazhdojnë t’i bëjnë presion Kinës për përgjigje. “Informacioni kritik në lidhje me origjinën e kësaj pandemie ekziston në Kinë, por që në fillim, zyrtarët e këtij vendi kanë punuar për të penguar hetuesit ndërkombëtarë dhe anëtarët e komunitetit global të shëndetit publik të kenë qasje në të,” tha Biden në një deklaratë.
Përmbledhja e raportit, publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, pritet të rrisë mosmarrëveshjen midis Pekinit dhe Uashingtonit në një kohë kur lidhjet janë në pikën e tyre më të ulët në dekada. Në Shtetet e Bashkuara, aktivistët u shqetësuan se hetimi mund të inkurajojë dhunën kundër amerikanëve aziatikë.
Ambasada e Kinës në Uashington publikoi një deklaratë, sipas të cilës raporti “gabimisht” nënvizon se Kina vazhdoi të pengonte hetimin dhe shtoi se “një raport i fabrikuar nga komuniteti i inteligjencës amerikane nuk është shkencërisht i besueshëm”. Sipas ambasadës, gjurmimi i origjinës është një çështje shkencore; ajo duhet dhe mund t’i lihet vetëm shkencëtarëve, jo ekspertëve të inteligjencës.
Kina e ka cilësuar qesharake teorinë se koronavirusi doli nga një laborator në Ëuhan, qyteti kinez ku u shfaqën infeksionet COVID-19 në fund të vitit 2019, duke shkaktuar pandeminë, dhe ka mbështetur një teori tjetër, sipas së cilës koronavirusi doli nga një laborator në bazën ushtarake amerikane Detrick në Maryland në vitin2019.
Në deklaratën e ambasadës kërkohet që Shtetet e Bashkuara të ftojnë ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të hetojnë në këtë bazë ushtarake.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.