Debati për koncesionin – Miratohet shtesa e kontratës 4.3 mln USD, s’dihen tarifat që do vendosen
“Për mua është tërësisht e patolerueshme që Ministri i infrastrukturës dhe Energjisë refuzon të paraqitet përpara këtij komisioni për çfarëdolloj arsyeje.”
Ka nisur me tension Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe i Financave që do të merret në shqyrtim projektligjin për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës “BOT”. Anëtarët e komisionit kanë sjellë në vëmendje një sërë problematikash që lidhen me shtesën e kësaj kontrate, si dhe kanë kërkuar informacion më të hollësishëm për efektet që do të ketë ndryshimi i kontratës në mjedis. Deputetja e PS Blerina Gjylameti ka kërkuar të dijë më shumë mbi efektin financiar që do të ketë shtimi i kësaj kontrate në tregun e hidrokarbureve lidhur me çmimet. Shtimi i kapaciteteve të ankorimit në port që do të mundësohet nga shtimi i kontratës do të sjellë edhe përmirësim të çmimeve në treg sipas zëvendës ministrit të Energjisë dhe të Infrastrukturës Enis Aliko.
“A është bërë një studim i mirëfilltë se si do të ndikojë ky fillim koncesion ose operimi i këtij koncesioni në tregun e hidrokarbureve? Si ndikon dhe çfarë mund të ndodhë me situatën e monopolist që është krijuar tashmë?”
“Kjo është marrë në shqyrtim që kur është lidhur kontrata koncesionare, pra në 2015 dhe fakti që është lidhur kjo kontratë koncesionare është bërë pikërisht për këtë punë: për të mundësuar uljen e çmimit të karburanteve në Shqipëri.”
Komisioni i Ekonomisë ka miratuar në parim shtesën e kontratës, me anë të së cilës do të rritet vlera financiare. Më parë kjo kontratë ishte 10.2 milionë dollarë dhe me shtesën prej 4.3 milionë do të kap një vlerë prej 14.5 milionë dollarë në total. Nuk dihet se sa do të jenë tarifat që do të përdoren nga koncesionari me shtesën që i është bërë kontratës. Edhe pse nga përfaqësuesit e ministrisë pretendohet se nuk do të ketë shtesë të tarifave, kjo nuk është e sigurt pasi edhe në kontratën aktuale nuk ka përcaktim të tarifave.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.