Deficiti buxhetor – U shpenzua pothuajse i gjithi në dhjetor
Qeveria shqiptare e shpenzoi pothuajse të gjithë deficitin e parashikuar në buxhet në muajin e fundit të vitit të kaluar. Vitin e kaluar, deficiti buxhetor ishte rreth 26.5 miliardë lekë, sa 1.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Qeveria shqiptare e shpenzoi pothuajse të gjithë deficitin e parashikuar në buxhet në muajin e fundit të vitit të kaluar. Vitin e kaluar, deficiti buxhetor ishte rreth 26.5 miliardë lekë, sa 1.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por, deri në fund të muajit nëntor, deficiti vlerësohej në vetëm 0.1% të PBB-së.
Rritja e deficitit me 25.3 miliardë lekë ose 1.5% e PBB-së gjatë dhjetorit, solli një përqendrim mjaft të lartë të shpenzimeve në muajin e fundit të vitit. Shpenzimet buxhetore në tremujorin e fundit të vitit njohën një rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo pritet të sjellë një ndikim më të lartë të sektorit publik në formimin e kërkesës agregate dhe në rritjen ekonomike gjatë tremujorit të fundit.
Shpenzimet buxhetore vitin e kaluar ishin 3.7% më të ulëta se plani, çka bëri që edhe deficiti të ishte më i ulët se parashikimet. Poshtë parashikimit rezultuan si shpenzimet korrente, ashtu edhe ato kapitale, duke nënkuptuar një mosrealizim të plotë të investimeve publike.
Por, një faktor tjetër që nënvizohet edhe nga Banka e Shqipërisë është edhe mosrimbursimi i TVSH-së, shqetësim i ngritur shpesh nga bizneset. Nëse organet tatimore do të bënin në kohë rimbursimin e TVSH-së, shpenzimet dhe deficiti buxhetor vitin e kaluar do të ishin ndjeshëm më të larta.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.